Projekt madhor investiv për ujin e pijshëm në Klinë – 10 mijë konsumatorë do të bëhen me ujë të pijshëm
U përurua fillimi i punimeve për Ndërtimin e Fundërruesit të Klinës, investim i përbashkët i Qeverisë së Republikës së Kosovës, MAPL, KRU ‘Hidrodrini’-t dhe Komunës së Klinës në vlerë prej 850 mijë eurosh.
Me inaugurimin e fillimit të punimeve nga ana e Kryeministrit të Republikës së Kosovës z.Albin Kurti, Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal z.Elbert Krasniqi, Kryetarit të komunës së Klinës prof.Dr. Zenun Elezaj dhe Kryeshefit Ekzekutiv të KRU ‘Hidrodrini’ ing. Dri Cena, qytetit të 6 lumenjëve, nga Qershori i vitit të ardhshëm do ti shtohen edhe nga 100l/s (litra në sekond) ujë i pijshëm duke mbuluar nevojat edhe për minimum 10 mijë qytetarë.
Projekti investiv do të rris kapacitetin e filtrimit të ujit për konsumatorët e qytetit të Klinës dhe fshatrave përreth.
Me këtë projekt, uji i filtruar prej 100l/s do të kaloj më pas në fabrikën ekistuese të cilës vitin e ardhshëm poshtu do ti ndërrohen filtrat në vlerë prej 200 mijë eurosh.
Para ceremonisë solemne në vendpunim, Kryeshefi Ekzekutiv i KRU ‘Hidrodrini’ ing. Dri Cena ka zhvilluar një takim përgatitorë me Ministrin e Adiminsitrimit të Pushtetit Lokal z.Elbert Krasniqi dhe Kryetarin e Komunës së Klinës prof.Dr. Zenun Elezaj, në kabinetin e këtij të fundit, e ku është konstatuar mbarëvajtja e dinamikës së realizimit të projektit dhe janë rikonfirmuar zotimet e palëve mbi obligimet ndaj këtij investimi sa madhor aq edhe të domosdoshëm për qytetarët e kësaj komune.